top of page

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”/ Mbi 1 mijë kërkesa nga bizneset, 35 kredi të miratuara

Oct 7
2 min read


Mbi 1 mijë biznese kanë shprehur interes për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, që synon të mbështesë investimet dhe zgjerimin e aktivitetit të bizneseve të vogla dhe të mesme. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se rreth 350 aplikime kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar dhe janë përcjellë për shqyrtim pranë bankave. Deri tani, 35 biznese kanë marrë miratimin për kredi, me një vlerë totale prej rreth 500 milionë lekësh. Programi, i lançuar në korrik, parashikon kredi me normë interesi deri në 2%, maturim deri në 10 vjet dhe financim deri në 2 milionë euro. Garancia sovrane mbulon deri në 70% të kolateralit, ndërsa Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh për mbështetjen e financimit të biznesit.


“Biznesi, në fazat që Shqipëria është, ka nevojë që të rrisë investimet. Ka nevojë që të zgjerohet, ka nevojë që të dyfishohet, edhe më shumë se dyfishohet”, u shpreh Ibrahimaj gjatë një takimi me sipërmarrës dhe Kryeministrin Edi Rama.


Sipas ministres, deri tani rreth 400 biznese kanë hyrë në procesin e aplikimit, me një vlerë totale prej rreth 21 miliardë lekësh. Interes për programin është shfaqur në nëntë qarqe të vendit dhe nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, me një numër të konsiderueshëm aplikimesh nga bizneset e lidhura me prodhimin bujqësor.

Për të lehtësuar aksesin në financim, janë ngritur edhe linja këshillimi për bizneset. Në zonat rurale dhe për sektorin bujqësor, agropikat do të shërbejnë si pika kontakti për informacionin mbi programin, hartimin e planeve të biznesit dhe ndjekjen e aplikimit. Ndërkohë, për bizneset urbane është vënë në dispozicion një fond prej rreth 8 milionë eurosh për mbështetjen e hartimit të planeve të biznesit. Sipas Ibrahimajt, një pjesë e bizneseve kanë ide investimi dhe plotësojnë kriteret bazë, por hasin vështirësi në përgatitjen e një plani biznesi të financueshëm nga bankat. Në rast se një aplikim kthehet nga banka për shkak të mangësive në planin e biznesit, bizneset do të mund të marrin asistencë nga agropikat ose ekspertët e kontraktuar nga UNDP-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit. Garancia sovrane mund të përdoret nga bizneset e të gjithë sektorëve, me përjashtim të ndërtimit rezidencial dhe sektorit financiar. Në varësi të kërkesës, qeveria ka deklaruar se është e gatshme të rrisë fondin e garancisë, deri në dyfishim apo trefishim të tij.

Ibrahimaj theksoi se nevoja për investime pritet të rritet edhe për shkak të procesit të integrimit europian, pasi bizneset shqiptare do të duhet të përshtaten me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian për të qenë më konkurruese. “Ne kemi dhe gjithë procesin e rrugëtimit të integrimit europian, në të cilin shumë bizneseve do t'u kërkohet që të përmbushin standarde dhe kritere të cilat janë konform me Bashkimin Europian”, tha ministrja. Sipas saj, zbatimi i programit do të vijojë në dialog me sipërmarrjen, me synim përshtatjen e instrumenteve të financimit me nevojat konkrete të bizneseve.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page