Durrësi nis parkimin me pagesë! Ja sa do të paguani dhe cilat janë oraret

Nga 5 tetori 2026, parkimi në rrugët dhe sheshet publike të përcaktuara në Durrës do të jetë me pagesë. Bashkia Durrës ka njoftuar nisjen e sistemit të ri, i cili do të funksionojë me dy nivele tarifash dhe me orare të ndryshme gjatë sezonit veror dhe atij dimëror. Rrugët e përfshira në skemë do të ndahen në dy kategori. Në Zonën A, tarifa do të jetë 100 lekë për orë, ndërsa në Zonën B do të jetë 40 lekë për orë. Orari i pagesës ndryshon në varësi të periudhës së vitit.
Nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi do të jetë me pagesë nga ora 08:00 deri në 20:00, çdo ditë të javës. Ndërsa nga 1 tetori deri më 31 maj, pagesa do të aplikohet nga ora 08:00 deri në 16:00, nga e hëna në të premte. Kjo do të thotë se gjatë periudhës tetor-maj, parkimi pas orës 16:00 do të jetë pa pagesë. Në muajt e sezonit veror, parkimi do të jetë pa pagesë pas orës 20:00.
Skema e re nuk do të kufizohet vetëm te rrugët. Parkimi me pagesë do të zbatohet edhe në tre hapësira publike: sheshin “Jorgji Ziu”, sheshin “Vollga” dhe parkimin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Në këto tre pika, tarifimi do të nisë nga 100 lekë për qëndrime deri në dy orë dhe do të arrijë në 500 lekë për qëndrime nga 12 deri në 24 orë. Pagesa në këto sheshe do të kryhet vetëm me kartë bankare përmes POS-it.
Një pjesë e veçantë e skemës lidhet me banorët që jetojnë në zonat ku do të aplikohet parkimi me pagesë. Rezidentët mund të aplikojnë për një abonim vjetor me tarifë 10 mijë lekë në vit, për një automjet për familje, në varësi të zonës ku banojnë.
Përveç abonimit vjetor në rrugët me pagesë, rezidentët mund të përfitojnë edhe vërtetim rezidenti pa pagesë për hapësirat publike të miratuara mes pallateve. Ky dokument u mundëson parkimin në hapësirën përkatëse të zonës së banimit. Një rezident mund të pajiset, sipas rastit, me të dyja dokumentet: abonimin vjetor për rrugët me pagesë dhe vërtetimin pa pagesë për hapësirën publike të miratuar mes pallateve. Dokumentet duhet të vendosen në një pozicion të dukshëm në xhamin e automjetit.
Për të përfituar statusin e rezidentit, aplikimi dhe verifikimi i adresës së banimit bëhen pranë Njësisë Administrative përkatëse. Në momentin e aplikimit kërkohet dokumenti i identifikimit, dokumenti i pronësisë së automjetit, dokumenti që vërteton pronësinë ose përdorimin e banesës dhe vërtetimi i banimit. Bashkia Durrës ka bërë të ditur se qytetarët do të kenë në dispozicion edhe informacion të detajuar mbi rrugët dhe zonat ku do të aplikohet tarifa, çmimet dhe oraret, sheshet publike me pagesë, si dhe procedurat për abonimin e rezidentëve dhe parkimin në hapësirat mes pallateve. Sipas Bashkisë, sistemi synon të organizojë më mirë parkimin, të reduktojë parkimet e parregullta dhe të përmirësojë administrimin e hapësirave publike.






Comments