Dhoma Amerikane kërkon rishikimin e paketës fiskale: Rritja e taksave rrezikon investimet e huaja

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri kundërshton ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e barrës tatimore mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e bizneseve, të frenojë investimet e huaja dhe të ushtrojë presion mbi çmimet e konsumit.
Në një deklaratë, AmCham i bën thirrje qeverisë të rishqyrtojë rritjen e taksave, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të zhvillojë një proces real konsultimi me komunitetin e biznesit përpara miratimit përfundimtar të ndryshimeve.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, propozimet prekin njëkohësisht disa prej elementeve kryesore të sistemit tatimor, duke përfshirë rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, ndryshimin e disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10%, si dhe rishikimin e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
AmCham argumenton se ndërhyrje të tilla mund të pakësojnë fondet që bizneset kanë në dispozicion për riinvestim, të ulin kthimin nga kapitali dhe të ndikojnë në kostot e aktivitetit ekonomik, punësimin dhe planet e zgjerimit të kompanive. “Ndryshime të tilla do të dekurajonin gjithashtu investitorët e huaj nga konsiderimi i Shqipërisë për biznese në të ardhmen”, thekson Dhoma në deklaratë.
Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se lehtësimi i kostos së jetesës dhe mbështetja e familjeve më të ekspozuara ndaj rritjes së çmimeve janë objektiva të rëndësishëm. Megjithatë, sipas saj, këto politika duhet të shoqërohen me ruajtjen e një klime të shëndetshme biznesi, nxitjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Për këtë arsye, AmCham kundërshton që financimi i masave sociale të mbështetet te rritja e barrës tatimore për bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe përmbushin rregullisht detyrimet fiskale, pa u shqyrtuar më parë alternativa të tjera.
Në deklaratë ngrihen pikëpyetje edhe mbi domosdoshmërinë e rritjes së taksave, duke iu referuar nënrealizimit të shpenzimeve buxhetore dhe suficitit të financave publike. Sipas AmCham, çdo rritje e barrës fiskale duhet të shoqërohet me një arsyetim të qartë mbi nevojën për këto masa dhe mënyrën se si do të përdoren të ardhurat shtesë. Dhoma paralajmëron se ndikimi i ndryshimeve në ekonomi mund të jetë më i madh sesa efekti i drejtpërdrejtë në të ardhurat buxhetore, nëse kostot e reja frenojnë zhvillimin e bizneseve.
Një tjetër çështje e ngritur nga AmCham është ndikimi i ndryshimeve të TVSH-së te konsumatorët. Paketa Fiskale 2027 parashikon aplikimin e normës së reduktuar prej 6% për një kategori produktesh ushqimore bazë, me synimin për të lehtësuar koston e jetesës. Paralelisht, propozohet rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, si dhe e disa normave të reduktuara nga 6% në 10%.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, rritja e normave mund të sjellë shtrenjtim të një game të gjerë mallrash dhe shërbimesh. Nëse bizneset i kalojnë këto kosto te konsumatorët, shpenzimet shtesë të familjeve mund të zbehin pjesërisht përfitimin që synohet nga ulja e TVSH-së për ushqimet bazë. AmCham thekson gjithashtu se ulja e një norme tatimore nuk garanton automatikisht që përfitimi të reflektohet plotësisht në çmimin përfundimtar të produktit.
Në deklaratë, AmCham nënvizon se Shqipëria konkurron me vendet e tjera të rajonit për të tërhequr investime të huaja. Në këtë kontekst, stabiliteti dhe parashikueshmëria e politikave fiskale konsiderohen elemente të rëndësishme për vendimmarrjen e investitorëve. Sipas Dhomës, rritja e normave tatimore mund të dobësojë pozicionin konkurrues të vendit dhe të ndikojë në planet e investitorëve aktualë dhe potencialë.
Një rënie e investimeve të huaja direkte, argumenton AmCham, do të kufizonte potencialin e zhvillimit ekonomik dhe mund të sillte pasoja negative për të ardhurat publike në periudhën afatgjatë.
Për këtë arsye, Dhoma kërkon që propozimet të mbështeten në vlerësime më të thelluara fiskale, të cilat të analizojnë jo vetëm të ardhurat që pritet të sigurojë shteti, por edhe ndikimin e mundshëm mbi investimet, punësimin dhe aktivitetin ekonomik.






Comments