Certifikimi periodik i kodeve, shqetësim për bizneset. Gjobat arrijnë në 60 mijë lekë

Ndryshimet ligjore që parashikojnë certifikimin periodik të kodeve të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE) pranë Dhomës Ekonomike Kombëtare ngrenë shqetësime për kostot administrative dhe ndikimin e tyre në aktivitetin e bizneseve. Ky shqetësim është ngritur nga Julian Saraçi auditues.
Sipas parashikimeve të bëra publike, mosrespektimi i detyrimit brenda afateve të përcaktuara mund të sjellë pezullimin e statusit të biznesit, gjoba administrative deri në 60 mijë lekë dhe kufizime në kryerjen e veprimeve në regjistrin tregtar.
Por, ndërsa bizneset përballen edhe me detyrime të tjera periodike deklarimi, lindin pikëpyetje mbi nevojën konkrete dhe vlerën e shtuar që sjell ky shërbim i ri. Pa një argumentim të qartë mbi përfitimet, certifikimi vjetor rrezikon të kthehet në një barrë shtesë administrative dhe financiare për sipërmarrjen -thotë Saraçi
Shqetësimi lidhet edhe me proporcionalitetin e masave ndëshkuese, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për shkelje thjesht procedurale. Pezullimi i aktivitetit ekonomik për mosrespektimin e një afati mund të krijojë pengesa për ushtrimin normal të veprimtarisë së biznesit.
Për këtë arsye, kërkohet që zbatimi i vendimit të shoqërohet me një vlerësim të vazhdueshëm të efekteve mbi sipërmarrjen, kostove që krijohen dhe përfitimeve konkrete të certifikimit periodik të kodeve NVE. Gjithashtu, konsultimi me përfaqësuesit e biznesit shihet si i domosdoshëm për të identifikuar problematikat dhe për të vlerësuar mundësinë e rishikimit të procedurave dhe masave ndëshkuese, në mënyrë që të shmangen pasoja joproporcionale. Parimi kryesor, sipas këtij qëndrimi, është që rregullimi të lehtësojë të bërit biznes dhe jo të shtojë barriera administrative pa përfitime të provuara.






Comments