Bonusi i Bebes në pikëpyetje, skema drejt ndryshimit

Rënia e lindjeve në Shqipëri po shtyn institucionet të rishikojnë mënyrën se si mbështeten familjet pas ardhjes në jetë të një fëmije. Bonusi i Bebes, skema që prej vitesh ofron një pagesë të menjëhershme për prindërit, mund të ndryshojë në të ardhmen, ndërsa Shërbimi Social Shtetëror konfirmon se po analizohen skenarë të rinj për forcimin dhe ristrukturimin e saj. Të dhënat tregojnë se nga viti 2019 deri në vitin 2025 janë shpërndarë 260,030 bonuse për familjet që kanë sjellë në jetë fëmijë. Pavarësisht mbështetjes financiare, numri i lindjeve në vend ka vijuar të bjerë, duke e rikthyer në qendër të diskutimit pyetjen nëse një pagesë e vetme në momentin e lindjes është e mjaftueshme për të ndikuar në vendimin e familjeve për të pasur fëmijë. Reme Lala, nga Shërbimi Social Shtetëror, shpjegon se Bonusi i Bebes është konceptuar si një ndihmë financiare e menjëhershme, e cila synon të lehtësojë kostot e para që shoqërojnë lindjen.
“Programi i Bonusit të Bebes është një nga masat e mbështetjes së menjëhershme financiare për familjet në momentin e lindjes së fëmijës. Qëllimi është të lehtësohen një pjesë e shpenzimeve fillestare që shoqërojnë ardhjen në jetë të një fëmije dhe t’u garantohet një mbështetje e drejtpërdrejtë prindërve që plotësojnë kriteret ligjore”, shprehet Lala. Skema zbatohet në bazë të Vendimit nr. 288, datë 10.04.2020, të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton masën dhe procedurën për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, si edhe mënyrën e bashkëpunimit mes institucioneve të shërbimit spitalor dhe gjendjes civile. Në harkun kohor 2019-2025, numri total i përfituesve ka arritur në 260,030 raste. Sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror, 164,881 prej tyre kanë të bëjnë me lindje të kryera në spitale publike, ndërsa 95,149 raste lidhen me lindje në spitale private dhe lindje jashtë vendit.
Megjithatë, debati për Bonusin e Bebes është zhvendosur tashmë edhe te efektiviteti i tij në një vend ku numri i lindjeve po tkurret. Një pagesë e vetme mund të ndihmojë familjet në përballimin e shpenzimeve të para, por kostot e rritjes së një fëmije vazhdojnë për vite dhe përfshijnë kujdesin, arsimin, strehimin, shërbimet shëndetësore dhe shpenzime të tjera familjare. Pikërisht për këtë arsye, skema aktuale duket se po hyn në një fazë rivlerësimi. “Aktualisht vazhdon të zbatohet skema në fuqi. Paralelisht, në nivel politikash, po vlerësohet mundësia e rishikimit të skemës ekzistuese dhe po analizohen disa skenarë për ristrukturimin e programit”, deklaron Lala. Sipas saj, ndryshimet e mundshme synojnë që mbështetja të përshtatet më mirë me nevojat reale të familjeve shqiptare. “Qëllimi është forcimi i mbështetjes për familjet me fëmijë dhe përshtatja më e mirë e ndërhyrjes me nevojat sociale”, shprehet ajo.
Megjithatë, deri tani nuk ka një skemë të re të miratuar dhe Bonusi i Bebes vazhdon të zbatohet sipas rregullave aktuale. Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e akteve të reja dhe përcaktimin e fondeve përkatëse në buxhet. “Në rast miratimi të akteve të reja, institucionet zbatuese do të ndjekin procedurat përkatëse për administrimin e skemës në përputhje me kuadrin e miratuar dhe me fondet e planifikuara në buxhet”, përfundon përfaqësuesja e Shërbimit Social Shtetëror. Rënia e lindjeve e bën këtë diskutim edhe më të rëndësishëm. Shifrat e përfituesve tregojnë përmasën e madhe të skemës në këto vite, por njëkohësisht rikthejnë pyetjen nëse politikat për nxitjen e lindjeve duhet të fokusohen vetëm te një pagesë pas lindjes apo te një paketë më e gjerë mbështetjeje për familjet gjatë viteve të rritjes së fëmijëve.
Në këtë kuadër, ristrukturimi i Bonusit të Bebes pritet të jetë pjesë e debatit më të gjerë për politikat demografike të Shqipërisë dhe mënyrën se si shteti mund t’i përgjigjet tkurrjes së lindjeve.






Comments