Bllokimi i mallrave në doganë, alarmi i eksportuesve: Rrezikohen kontratat me të huajt

Shoqata ProEksport Albania i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të rishikojë praktikën e bllokimit të aktivitetit doganor të ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara. Sipas shoqatës, kjo masë rrezikon të ndërpresë prodhimin, të dëmtojë kontratat me klientët e huaj dhe të vërë në rrezik vendet e punës.
Në një reagim për mediat këtë të enjte, ProEksport Albania ngre shqetësimin se bllokimi i përgjithshëm i aktivitetit doganor nuk ka një bazë ligjore të qartë dhe shpreh dyshime për përputhshmërinë e kësaj praktike me parimet e legjislacionit të Bashkimit Europian.
Problematika, sipas shoqatës, është veçanërisht e ndjeshme në industrinë e veshjeve dhe këpucëve, ku lëndët e para dhe produktet e përpunuara shpesh janë pronë e klientëve të huaj. Bllokimi i tyre mund të cenojë të drejtat e pronësisë së këtyre klientëve, të ndërpresë procesin e prodhimit dhe të vështirësojë përmbushjen e kontratave ndërkombëtare.
Shoqata thekson se nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore nga shteti, por kundërshton përdorimin e masave shtrënguese që paralizojnë aktivitetin eksportues dhe dëmtojnë edhe palë të treta që nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar.
Përmes një shkrese, ProEksport Albania i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të sqarojë bazën ligjore të kësaj praktike, ta rishikojë atë dhe të mbrojë aktivitetin e ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet për shlyerjen e detyrimeve me këste. “Një masë për mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk duhet të shkatërrojë burimin e të ardhurave nga i cili këto detyrime mund të shlyhen”, thekson shoqata në komunikatë.






Comments