top of page

Biznesi: Pezulloni rritjen e taksave, më parë dialog

5 days ago
3 min read

Pas publikimit të paketës fiskale 2027, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTI-Tirana) kundërshton propozimet dhe i kërkon qeverisë të pezullojë ndryshimet që parashikojnë rritjen e barrës tatimore, deri në zhvillimin e një konsultimi të plotë me përfaqësuesit e biznesit.


Në një deklaratë për mediat, komuniteti biznesit shpreh shqetësimin se masat e propozuara mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për investimet, punësimin, çmimet dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Sipas dhomës ndryshimet po diskutohen pa një proces transparent konsultimi me komunitetin e biznesit. DHTI-Tirana bën të ditur se më 9 tetor 2026 u ka dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit rekomandimet e sipërmarrjes për paketën e re fiskale, por deri në publikimin e deklaratës nuk kishte marrë përgjigje zyrtare.


Ndryshimet fiskale, mbi 10 miliardë lekë më shumë në buxhet


Sipas propozimeve të raportuara dhe nga ekspertët , Paketa Fiskale 2027 parashikon rritjen e tatimit mbi fitimin në 17%, tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, TVSH-së standarde në 21% dhe TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%. Gjithashtu, propozohet ulja në 5 milionë lekë e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset e vogla. DHTI-Tirana citon vlerësime të Ministrisë së Financave, të raportuara në media, sipas të cilave këto masa mund të sjellin mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit për buxhetin e shtetit.

Dhoma mbështet uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore në 6%, por thekson se kjo masë nuk duhet të shërbejë si justifikim për rritjen e taksave të tjera. Sipas saj, barra shtesë mbi bizneset mund të zbehë përfitimin që konsumatorët do të kishin nga ulja e TVSH-së për ushqimet.

Tatimi mbi fitimin dhe dividendin, rrezik për investimet


Dhoma paralajmëron se rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin mund të ulë interesin e kompanive për të investuar dhe për të riinvestuar fitimet në ekonomi. Sipas DHTI-Tiranës, normat e propozuara mund ta vendosin Shqipërinë në një pozicion më pak konkurrues përballë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar kostot për sipërmarrjet dhe duke ndikuar në tërheqjen e kapitalit. Për këtë arsye, ajo kërkon ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së standarde, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin, duke i krahasuar ato me praktikat fiskale të vendeve të rajonit.


Turizmi dhe biznesi i vogël, nën presionin e kostove


Rritja e propozuar e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% është një tjetër pikë kundërshtimi. Sipas DHTI-Tiranës, kjo masë vjen në një periudhë kur sektori përballet me zhvlerësimin e euros dhe operatorët po lidhin kontrata me çmime fikse për sezonin turistik 2027. Dhoma vlerëson se rritja e TVSH-së mund të shtojë kostot e operatorëve dhe të dobësojë konkurrueshmërinë e destinacioneve shqiptare. Ajo sugjeron që mbështetja fiskale të orientohet edhe drejt sektorëve të prodhimit dhe agroindustrisë, duke ruajtur trajtimin e agroturizmit. Shqetësime ngrihen edhe për uljen e pragut të regjistrimit në TVSH në 5 milionë lekë. Sipas Dhomës, kjo masë mund të prekë dyqanet e lagjeve, zejtarët dhe ofruesit e shërbimeve të vogla, duke rritur kostot administrative dhe duke ushtruar presion mbi çmimet për konsumatorët.


DHTI-Tirana kujton se pragu ishte ulur edhe në vitin 2018, përpara se të rikthehej në 10 milionë lekë në vitin 2021. Sipas saj, zgjerimi i detyrimit për TVSH te bizneset me të ardhura të kufizuara mund të rrisë gjithashtu rrezikun e informalitetit.


Dhoma kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore, deri në përfundimin e konsultimeve me biznesin, si dhe hapjen e menjëhershme të dialogut institucional me organizatat përfaqësuese të sipërmarrjes.

Kërkesat e tjera përfshijnë publikimin zyrtar të Paketës Fiskale 2027, të shoqëruar me analizën e ndikimit ekonomik të masave; ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, TVSH-së standarde dhe pragut të TVSH-së; si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin në raport me vendet e rajonit.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page