Bie me 46% numri i përfituesve të shtetësisë shqiptare, rriten kërkesat për azil
- Jul 6
- 1 min read

Interesi për marrjen e shtetësisë shqiptare u tkurr ndjeshëm gjatë vitit 2025, ndërsa në të kundërt u shënua një rritje e kërkesave për azil në vend. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë një ndryshim të qartë të tendencave migratore krahasuar me një vit më parë. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2025 shtetësinë shqiptare e fituan 495 persona, nga 919 që ishin në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej rreth 46%. Nga përfituesit, 306 persona e rifituan shtetësinë shqiptare, ndërsa 189 e morën atë për herë të parë. Mbi gjysmën e tyre, ose 56,1%, e përbëjnë shtetasit e Kosovës, të ndjekur nga shtetasit e Turqisë me 20,1%. Më pas renditen shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, secila me nga 4,8%.
Paralelisht është ulur edhe numri i personave që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Gjatë vitit 2025, 173 persona zgjodhën të mos e mbajnë më atë. Grupmosha 30–39 vjeç rezulton më e prekura nga të dyja proceset, duke përbërë 31,7% të përfituesve të shtetësisë dhe 43,9% të atyre që hoqën dorë prej saj.
Ndërkohë, kërkesat për azil në Shqipëri u rritën. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 144 azilkërkues, ose 40 më shumë se në vitin 2024. Fluksi më i madh i aplikimeve u përqendrua në periudhën gusht–tetor, kur u depozituan 63,2% e kërkesave të vitit.
Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e azilkërkuesve vinte nga Egjipti, që përbënte 39,6% të totalit, i ndjekur nga Afganistani me 11,8% dhe Palestina me 9,7%.






Comments