top of page

Bashkia e Tiranës hap fondin për pallatet, banorët mund të kursejnë mijëra lekë

Oct 9
2 min read


Banorët e pallateve në Tiranë mund të aplikojnë sërish për financim nga Fondi i Komunitetit, pas zhbllokimit të procedurave për projektet që kishin mbetur pezull gjatë muajve të fundit. Risia e këtij viti është mbështetja financiare për zëvendësimin e depozitave individuale të ujit, të vendosura në katet e sipërme të pallateve, me një depozitë të përbashkët për të gjithë godinën.


Sipas Bashkisë së Tiranës, për këtë ndërhyrje do të rimbursohet 50% e kostos për banorët, ndërsa pensionistët dhe familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike do të mund të përfitojnë mbulim të plotë të shpenzimeve. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, gjatë takimeve me administratorë pallatesh në kryeqytet. Fondi i Komunitetit synon të mbështesë investimet në godinat e banimit dhe hapësirat e përbashkëta, duke ndarë kostot mes bashkisë dhe banorëve. Përveç skemës së re për depozitat e ujit, programi mbulon edhe ndërhyrje të tjera, si:


• Instalimin e ashensorëve në pallatet që nuk kanë të tillë.

• Izolimin e tarracave.

• Termoizolimin e fasadave përmes sistemit kapot.

• Zëvendësimin e depozitave individuale të ujit me një depozitë të përbashkët për pallatin.


Për këto ndërhyrje, Bashkia e Tiranës parashikon rimbursimin e 50% të kostos së përcaktuar. Për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, mbështetja arrin në 100%.

“Fondi i komunitetit është një ndër programet më të kërkuara në Bashkinë e Tiranës. Ne këto 10 vite, buxheti është shtuar vit për vit”, u shpreh Dango, duke nënvizuar se instalimi i ashensorëve mbetet ndër kërkesat më të shpeshta të banorëve.


Me riaktivizimin e procedurave, Bashkia e Tiranës u bën thirrje komuniteteve të banorëve që kanë nevojë për ndërhyrje në hapësirat e përbashkëta të pallateve të aplikojnë për të përfituar nga fondi. Skema synon të lehtësojë realizimin e investimeve që kërkojnë kontribut financiar nga banorët, veçanërisht në godinat ku një pjesë e familjeve nuk kanë mundësi t'i përballojnë të vetme kostot. Për kategoritë në nevojë, mbulimi i plotë i shpenzimeve synon të shmangë pengesat financiare dhe të mundësojë realizimin e ndërhyrjeve të nevojshme në pallate. Njoftimi i bashkisë nuk specifikon afatin e aplikimeve, dokumentacionin e kërkuar apo procedurën e detajuar për përfitimin nga skema e re për depozitat e ujit.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page