top of page

Bankat lehtësojnë kreditë për bizneset e vogla dhe të mesme, rritet kërkesa edhe nga individët

Oct 20
2 min read

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për aktivitetin kreditues, në tremujorin e tretë të vitit 2026 bankat kanë lehtësuar disi kushtet e kreditimit për bizneset, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme. Ndërkohë, kërkesa për kredi është rritur si nga sipërmarrjet, ashtu edhe nga individët, kryesisht për financimin e konsumit.

Për bizneset, lehtësimi është reflektuar në standardet e kreditimit dhe në kushtet e termat e kredive të reja, veçanërisht përmes kërkesave më të ulëta për kolateral.


Bankat raportojnë gjithashtu një rritje të raportit të kredive të miratuara ndaj aplikimeve. Megjithatë, për bizneset e mëdha standardet kanë mbetur të pandryshuara. Sipas bankave, konkurrenca në sistemin bankar ka ndikuar në lehtësimin e kushteve, ndërsa Programi i Financimit për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm ka dhënë mbështetje pozitive. Nga ana tjetër, shqetësimet për situatën makroekonomike dhe aftësinë paguese të kredimarrësve vijojnë të ndikojnë në vendimmarrjen e tyre.


Kërkesa për kredi nga bizneset është rritur në të gjitha segmentet, si për financimin e investimeve, ashtu edhe për nevojat afatshkurtra për likuiditet dhe kapital qarkullues. Bankat vlerësojnë se besimi i biznesit dhe niveli i normave të interesit kanë mbështetur këtë tendencë, ndërsa situata ekonomike dhe pritjet për të kanë ushtruar ndikim në kahun e kundërt.


Për individët, standardet e kreditimit kanë mbetur të pandryshuara, si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato për blerjen e banesave. Të pandryshuara kanë qenë edhe kushtet e përgjithshme të kreditimit, megjithëse marzhet mbi kreditë normale dhe madhësia e kredisë kanë vepruar në kahun shtrëngues, ndërsa maturiteti maksimal ka ndikuar në kahun lehtësues. Pavarësisht kësaj, kërkesa për kredi nga individët është rritur, kryesisht për financimin e konsumit. Për tremujorin e fundit të vitit 2026, bankat presin që kushtet e kreditimit të mbeten pothuajse të pandryshuara për bizneset e mëdha dhe individët, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme parashikohet vijimi i lehtësimit. Kërkesa për kredi pritet të rritet më tej si nga bizneset, ashtu edhe nga individët.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page