top of page

Banka e Shqipërisë, ndryshon drafti: Hiqet mbrojtja e posaçme për Guvernatorin

Sep 30
2 min read


Vetëm dy muaj pasi Ministria e Financave propozoi një projektligj të ri për Bankën e Shqipërisë, që parashikonte mbrojtje të posaçme procedurale për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët, kjo dispozitë nuk është më pjesë e nismës së re të depozituar në Kuvend. Nisma e re e paraqitur më 25 shtator nga deputetë të Partisë Socialiste dhe i firmosur ndër të tjera nga Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ndërhyn në ligjin ekzistues për Bankën e Shqipërisë, por nuk përfshin nenin që parashikonte një mbrojtje të veçantë për drejtuesit e bankës qendrore.  Në draftin integral të publikuar nga Ministria e Financave më 15 korrik, neni 72 parashikonte që Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët të mos mund të arrestoheshin apo t’i nënshtroheshin kontrollit personal ose të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Dispozita parashikonte përjashtim vetëm në rast flagrance ose ndjekjeje menjëherë pas kryerjes së një krimi. Gjithashtu, prokurori duhej t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për autorizim, ndërsa kjo e fundit kishte dy javë kohë për të marrë një vendim. Por në nismën e re parlamentare, e cila gjëndet në faqen zyrtare të parlamentit, kjo mbrojtje nuk figuron. Projektligji i shtatorit nuk propozon një ligj tërësisht të ri për Bankën e Shqipërisë, por ndryshime në disa nene të ligjit ekzistues nr. 8269/1997.  Paketa përmban shtatë nene dhe fokusohet në çështje të tilla si financimi monetar, kreditimi i sektorit publik, titujt e qeverisë dhe rezerva e detyruar, ndërsa nuk përfshin dispozitën që do t’u jepte drejtuesve të Bankës së Shqipërisë një mbrojtje të posaçme ndaj arrestimit apo kontrollit. Në praktikë, nëse nisma e depozituar më 25 shtator miratohet në këtë formë, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk do të përfitojnë nga mekanizmi i posaçëm procedural i parashikuar në draftin e korrikut. Krahasimi i dy dokumenteve evidenton një ndryshim të qartë brenda një periudhe pak më shumë se dy mujore: nga një projektligj integral që parashikonte mbrojtje të posaçme për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, te një paketë ndryshimesh që nuk e përmban më atë dispozitë. Mbetet për tu parë se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës teksa ky draftligj të miratohet në parlament.

 



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page