Banka Botërore: Barrierat tregtare pengojnë eksportet shqiptare

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% gjatë vitit 2026, ndërsa përmirësimi i mëtejshëm i produktivitetit, zgjerimi i eksporteve dhe ulja e kostove që përballojnë bizneset konsiderohen thelbësore për të garantuar një rritje më të qëndrueshme. Në raportin e vjeshtës për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore vlerëson se reformat në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve mund të rrisin Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë deri në 10% në periudhën afatmesme.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare ruajti ecuri të qëndrueshme në fillim të vitit 2026, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, shërbimet dhe ndërtimi. Kërkesa e lartë për punonjës, në raport me ofertën e fuqisë punëtore, ka ndihmuar në uljen e papunësisë në nivelin më të ulët historik, ndërsa pagat kanë vijuar të rriten dhe varfëria ka shënuar rënie të mëtejshme.
Megjithatë, raporti evidenton disa sfida strukturore. Rritja ekonomike vijon të mbështetet kryesisht te turizmi sezonal, i cili ka volum të lartë, por vlerë të shtuar të ulët, si dhe te shërbimet e tjera. Ndërkohë, baza e eksporteve shqiptare mbetet e ngushtë dhe shumë marrëdhënie eksporti janë afatshkurtra, duke kufizuar mundësitë e kompanive për t'u zgjeruar, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar vende pune më të mira.
Një nga problemet kryesore janë kostot që lindin përtej tarifave doganore. Sipas Bankës Botërore, barrierat e brendshme rregullatore dhe administrative në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve mund të jenë dy deri në pesë herë më të larta se tarifat ekzistuese. Për këtë arsye, reformat e ardhshme duhet të përqendrohen te thjeshtimi i procedurave, ulja e kostove administrative dhe krijimi i kushteve që kompanitë të hyjnë më lehtë në tregjet ndërkombëtare dhe të qëndrojnë në to për një kohë më të gjatë.
Banka Botërore vlerëson se përmirësimi i rregullave tregtare, rritja e produktivitetit, investimet private më të larta dhe zgjerimi i bazës së eksporteve mund të forcojnë perspektivën ekonomike të vendit. Në të kundërt, pasiguria globale, presionet demografike dhe rreziqet që lidhen me klimën mbeten faktorë që mund të ndikojnë në ecurinë afatgjatë.
Në nivel rajonal, ekonomia e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – parashikohet të rritet me 3.1% në vitin 2026, nga 2.6% në vitin 2025. Banka Botërore pret që rritja të arrijë në 3.4% në vitin 2027 dhe të qëndrojë në të njëjtin nivel edhe në vitin 2028. Konsumi dhe investimet pritet të jenë ndër faktorët kryesorë mbështetës të aktivitetit ekonomik.
Pavarësisht këtij parashikimi, raporti nënvizon se bizneset në rajon përballen ende me kosto të konsiderueshme tregtare. Tregtia e mallrave dhe shërbimeve arriti në 107% të PBB-së rajonale në vitin 2025, duke tejkaluar mesataren prej 90% të Bashkimit Evropian. Eksportet e shërbimeve janë katërfishuar nga viti 2010 deri në vitin 2025, por pengesat administrative dhe rregullatore vijojnë të kufizojnë potencialin e kompanive.
Tarifat mesatare për mallrat e importuara në rajon janë rreth 6%, ndërsa masat jotarifore shtojnë kosto të tjera prej rreth 10%. Në disa sektorë të produkteve agro-ushqimore, këto kosto shtesë kalojnë 20%, ndërsa kufizimet për ofrimin e shërbimeve përtej kufijve vlerësohen se krijojnë kosto ekuivalente me 29%.






Comments