top of page

Aeroporti i Vlorës, hapet rruga për marrëveshje? Qeveria dhe koncesionari rikthehen në negociata

Aug 29
2 min read

Përplasja mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare që po ndërton Aeroportin e Vlorës duket se mund të ketë hyrë në një fazë të re, pas zhvillimeve të fundit mes palëve. Një takim i zhvilluar mes përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës, shoqërisë koncesionare Vlora International Airport dhe përfaqësuesve ligjorë të aksionerëve të saj ka hapur mundësinë për një zgjidhje të negociuar të situatës.


Takimi vjen disa javë pasi qeveria kishte nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës së koncesionit, duke e vendosur projektin e aeroportit përballë një pasigurie të re për vijimin e punimeve. Sipas informacioneve, diskutimet mes palëve janë zhvilluar në një klimë pozitive dhe tashmë pritet që koncesionari të paraqesë një plan konkret për vijimin e projektit. Dokumenti pritet të përcaktojë një grafik të ri pune dhe afate të qarta për përfundimin e aeroportit.


Një nga kërkesat që pritet të parashtrojë kompania është edhe rinovimi i lejes së ndërtimit, e cila ka përfunduar disa muaj më parë. Në këmbim, koncesionari pritet të ofrojë garanci për realizimin e punimeve brenda afateve që do të përcaktohen në planin e ri. Pas marrjes së këtij propozimi, do të jetë qeveria ajo që do të vendosë nëse plani i paraqitur është i mjaftueshëm për të zhbllokuar situatën apo nëse do të vijojë procedurën për ndërprerjen e kontratës.


Një zhvillim tjetër i rëndësishëm lidhet me konfliktin mes aksionerëve të kompanisë. Përfaqësuesit ligjorë të Behgjet Pacollit dhe palës tjetër aksionere, sipas raportimeve, kanë rënë dakord që mosmarrëveshjet mes tyre të trajtohen në rrugë gjyqësore, pa penguar ndërkohë zbatimin e një plani të përbashkët për përfundimin e aeroportit. Në këtë kuadër, raportohet gjithashtu se përfaqësuesit e Pacollit kanë pranuar rolin e Vegim Hoxhës si administrator i kompanisë.


Nëse marrëveshja e mundshme do të konkretizohet, qeveria mund t'i japë projektit një afat të ri për përfundimin e punimeve, i cili mund të shkojë deri në 8-10 muaj. Kjo do të shmangte, të paktën për momentin, ndërprerjen e kontratës dhe pasojat që mund të sillte një vendim i tillë.


Për momentin nuk ka ende një vendim përfundimtar. Megjithatë, fakti që palët janë ulur në tryezën e negociatave tregon se situata mund të jetë duke lëvizur drejt një kompromisi, pas një periudhe të gjatë përplasjesh dhe pasigurie për fatin e Aeroportit të Vlorës, duke shmangur kështu edhe një çështje të radhës në Arbitrazh.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page