6 masa kundër dhunës, dëmshpërblim 100% për biznesin e vogel dhe gjoba deri në 500 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një paketë të re ligjore me gjashtë instrumente për parandalimin e dhunës gjatë protestave, ndëshkimin e autorëve dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj bizneseve dhe pronës.
Paketa parashikon kompensimin nga shteti deri në 100% të dëmeve për bizneset e vogla dhe 70% për bizneset e mëdha, ndërsa personat përgjegjës do të detyrohen të paguajnë dëmet që kanë shkaktuar. Përveç kësaj, masat përfshijnë ndryshime në ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, si dhe ashpërsimin e ndëshkimeve për aktet e dhunshme.
Ndryshime në ligjin për tubimet dhe gjoba deri në 500 mijë lekë
Një nga ndërhyrjet kryesore lidhet me ndryshimin e ligjit për tubimet, i cili daton nga viti 2001. Propozimet parashikojnë kompetenca të reja parandaluese për Policinë e Shtetit, përfshirë vendosjen e perimetrave të sigurisë rreth institucioneve dhe objekteve të ndjeshme, si dhe ndërhyrjen ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale.
Sipas paketës, parashikohen gjoba deri në 500 mijë lekë për pjesëmarrjen në tubime pa leje, mosrespektimin e urdhrave për shpërndarje dhe fshehjen e identitetit, në rastet e përcaktuara nga ligji. Për bllokimin e qarkullimit parashikohet gjobë prej 5 mijë lekësh. Thirrjet për dhunë që nuk hiqen pas njoftimit të autoriteteve mund të çojnë edhe në ndjekje penale, kur plotësohen kushtet ligjore.
Regjistër elektronik dhe masa për personat nën hetim
Instrumenti i katërt parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik, që do të administrohet nga Policia e Shtetit dhe do të përmbajë të dhënat identifikuese të personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit. Sipas Ramës, masat përfshijnë edhe mundësinë e kufizimit të daljes jashtë vendit për personat që synojnë t’i shmangen përgjegjësisë penale, njoftimin e autoriteteve të huaja dhe shkëmbimin e informacionit me kompanitë e transportit ajror, detar dhe hekurudhor.
Masa disiplinore për mësuesit që përfshijnë nxënësit në protesta të paligjshme
Pjesë e paketës janë edhe ndryshimet në Kodin e Etikës së Mësuesve të arsimit parauniversitar. Propozimi parashikon ndalimin e përdorimit të autoritetit të mësuesit për të nxitur ose organizuar pjesëmarrjen e nxënësve në protesta të paligjshme. Në rast shkeljeje, masat disiplinore mund të shkojnë nga pezullimi deri në përjashtimin nga detyra. Sipas kryeministrit, synimi është mbrojtja e të miturve nga përfshirja në situata që mund të rrezikojnë sigurinë e tyre.
Ndryshime në Kodin Penal: Burg për dhunën dhe nxitjen e akteve të dhunshme
Instrumenti i gjashtë përfshin ndryshime në Kodin Penal, me synimin për të ashpërsuar ndëshkimet për dhunën gjatë tubimeve dhe për veprat penale të kryera në hapësirën digjitale. Sipas propozimeve të prezantuara, mbajtja e armëve ose e sendeve të paligjshme gjatë tubimeve mund të dënohet deri në dy vite burg, ndërsa fshehja e fytyrës gjatë protestave ku ushtrohet dhunë parashikohet të ndëshkohet me gjobë ose deri në gjashtë muaj burg. Për goditjen e punonjësve të Policisë ose qytetarëve, dënimi parashikohet të rritet me një të tretën kur autori është i maskuar. Ndryshimet synojnë gjithashtu ashpërsimin e dënimeve për shkatërrimin e pronës, veçanërisht kur preken shkolla dhe institucione të tjera, si dhe ndëshkimin e thirrjeve në rrjetet sociale që nxisin dhunë, plaçkitje apo shkatërrime. Dënimet parashikohet të rëndohen kur thirrjet u drejtohen të miturve ose kur pas tyre ndodhin akte dhune.
Paketa përfshin edhe zgjerimin e dispozitave penale për kanosjen dhe përndjekjen online, publikimin e të dhënave personale kur ekspozimi i personave i vë ata përballë sulmeve, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin e përmbajtjeve që u shkaktojnë dëm personave. Sipas propozimit, jashtë këtij parashikimi përjashtohen satira dhe format e tjera të mbrojtura të shprehjes.
Mbrojtja penale parashikohet të zgjerohet edhe për funksionarët dhe personat publikë, si dhe për familjarët e tyre, përfshirë rastet e kërcënimeve në internet.






Comments