TVSH-ja për hotelet dhe agroturizmin rritet në 10%, më shumë kosto për turizmin në 2027

Një tjetër ndryshim që pritet të gjejë zbatim me paketën fiskale të vitit të ardhshëm është edhe tatimi në turizëm. Qeveria propozon rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për strukturat e akomodimit dhe agroturizmit nga 6% në 10%. Ky propozim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e operatorëve turistikë, me pasoja të mundshme edhe për çmimet që paguajnë pushuesit. Sipas propozimit, norma e re do të zbatohet për hotelet, resortet dhe strukturat e certifikuara të agroturizmit, si dhe për shërbimet e restoranteve dhe kateringut, me përjashtim të pijeve alkoolike. Ndryshimi prek pikat 3, 4 dhe 5 të nenit 49 të ligjit ekzistues për TVSH-në. Përmes kësaj mase, Ministria e Financave synon të rrisë kontributin fiskal të sektorit të shërbimeve dhe kapitalit, në kuadër të rishikimit afatmesëm të politikave fiskale. Sipas argumentimit të qeverisë, zhvillimi i turizmit ka arritur një fazë ku sektori mund të përballojë një barrë më të lartë tatimore. Rritja e TVSH-së për turizmin vjen paralelisht me propozime të tjera fiskale, përfshirë rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% dhe të tatim-fitimit të korporatave nga 15% në 17%.
Rrezik për rritjen e çmimeve dhe investimet në agroturizëm
Rritja e TVSH-së me 4 pikë përqindjeje mund të reflektohet në çmimet e paketave turistike dhe shërbimeve të akomodimit, nëse operatorët vendosin t’ua kalojnë klientëve koston shtesë. Efekti pritet të ndihet me zbatimin e normës së re, duke filluar nga viti 2027. Shqetësimi është më i madh për agroturizmin, një sektor i mbështetur në investimet në zonat rurale dhe në sipërmarrjet e vogla familjare. Për këto biznese, rritja e barrës fiskale mund të shtojë kostot e aktivitetit dhe të kufizojë mundësitë për investime të reja. Ndërsa qeveria synon të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit, mbetet për t’u parë se si do të ndikojë kjo masë në konkurrueshmërinë e strukturave turistike, çmimet për vizitorët dhe ritmin e zhvillimit të agroturizmit në vend.






Comments