Qeveria propozon masa të forta: Tatimet të vjelin me forcë detyrimet e papaguara!

Ministria e Financave propozon një sërë ndryshimesh në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me synim forcimin e disiplinës në përmbushjen e detyrimeve tatimore, rritjen e efektivitetit të kontrolleve dhe kufizimin e mundësive për shmangien e detyrimeve ndaj shtetit. Projektligji parashikon ndërhyrje në disa fusha, nga pagesat me para në dorë dhe mbledhja e detyrimeve të papaguara, deri te kontrollet gjatë çregjistrimit të subjekteve dhe sanksionet për mosdorëzimin e dokumentacionit apo refuzimin e bashkëpunimit me administratën tatimore.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me parapagimet e tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi. Sipas propozimit, administrata tatimore do të ketë kompetencë të shprehur ligjore për të zbatuar procedurat e mbledhjes me forcë edhe për këstet paraprake të papaguara pas përfundimit të afatit ligjor.
Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave argumenton se rënia e nivelit të pagesave të parapagimeve e bën të nevojshëm forcimin e mekanizmave për mbledhjen e tyre në kohë. Sipas institucionit, mosshlyerja e kësteve gjatë vitit mund të krijojë detyrime të konsiderueshme në momentin kur përcaktohet përfundimisht tatimi, deri në afatin e deklarimit të 31 marsit të vitit pasardhës. Aktualisht, mospagimi në afat i kësteve paraprake dënohet me gjobë prej 0,06% të detyrimit të papaguar për çdo ditë vonesë, por jo për më shumë se 365 ditë kalendarike. Projektligji nuk propozon rritjen e kësaj mase administrative, por zgjerimin e instrumenteve që administrata tatimore mund të përdorë për të mbledhur detyrimin e papaguar.
Një tjetër ndërhyrje lidhet me kufizimet për pagesat dhe arkëtimet me para në dorë. Pas ndryshimeve të bëra me Paketën Fiskale 2026, të cilat përcaktuan kufij për transaksionet cash mes bizneseve dhe për ato mes bizneseve e individëve, Ministria e Financave propozon që sanksionet të përshtaten me detyrimet e reja ligjore. Projektligji parashikon ndryshimin e nenit 120 të ligjit për procedurat tatimore. Titulli aktual, “Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi 150 000 lekë”, propozohet të zëvendësohet me formulimin “Pagesat ose arkëtimet me para në dorë mbi kufijtë e lejuar”, në mënyrë që dispozita të mos lidhet vetëm me një shumë të vetme, por me kufijtë e përcaktuar nga legjislacioni.
Ndryshimi kryesor është shtrirja e gjobës prej 10% të vlerës së transaksionit edhe për pagesat cash mes bizneseve dhe konsumatorëve, kur ato kryhen në kundërshtim me kufizimet ligjore. Sipas relacionit, masa administrative do të zbatohet për transaksionet e shitjes ose blerjes që kryhen në kundërshtim me kufijtë e përcaktuar në nenin 59 të ligjit. Në mënyrë të veçantë, dokumenti evidenton se gjoba prej 10% e vlerës së faturës do të zbatohet në rastet kur tejkalohet kufiri prej 500 mijë lekësh për një transaksion mes biznesit dhe konsumatorit. Ministria argumenton se lidhja më e qartë mes detyrimit për të respektuar kufijtë e pagesave cash dhe gjobës për shkeljen e tyre synon të rrisë gjurmueshmërinë e transaksioneve, të nxisë deklarimin real të shitjeve dhe të ndihmojë formalizimin e ekonomisë.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në procedurën e kontrollit tatimor gjatë çregjistrimit të subjekteve. Administrata tatimore mund të kryejë verifikime në mjediset ku subjekti ushtron aktivitetin, bazuar në analizën e riskut, përpara përfundimit të procesit të çregjistrimit. Sipas propozimit, për këtë kontroll nuk do të zbatohet afati i njoftimit të parashikuar në nenin 81 të ligjit për procedurat tatimore. Qëllimi është që verifikimi i situatës tatimore të përfundojë brenda afateve të përcaktuara për çregjistrimin, pa vonesa të shkaktuara nga procedura e njoftimit. Megjithatë, projektligji ruan kufirin maksimal prej 30 ditësh pune për ushtrimin dhe pasqyrimin e kontrollit në situatën tatimore të subjektit. Sipas relacionit, përjashtimi lidhet me afatin e njoftimit dhe nuk heq detyrimin për dokumentimin dhe trajtimin e rezultateve të kontrollit sipas rregullave përkatëse.






Comments