Protesta del jashtë kontrollit, shkatërrohet dega e një banke në Tiranë

Protesta e studentëve në Tiranë është shoqëruar me akte dhune dhe dëme të konsiderueshme materiale. Gjatë përplasjeve të kësaj të mërkure, protestuesit kanë shkatërruar degën e një banke të nivelit të dytë në Rrugën e Durrësit.
Demonstruesit kanë thyer xhamat e bankës, janë futur brenda ambienteve dhe kanë dëmtuar raftet dhe dokumentet që ndodheshin aty.
Punonjësit e bankës ishin larguar nga objekti, ndërsa në momentin e raportimit nuk kishte të dhëna për marrjen e parave që ruhen në kasafortë. Ngjarja ndodhi në një kohë kur protesta ishte përshkallëzuar, me hedhje gurësh dhe molotovësh drejt policisë, si dhe zjarrvënie në koshat e mbetjeve.
Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë me piper për të shpërndarë protestuesit. Ky nuk është rasti i parë që tubuesit sulmojnë bizneset në zonën e protestës. Edhe një natë më parë protestuesit u futën në ambientet e një pike mikrokredie, duke djegur dhe shkatërruar brenda çfarë gjetën.






Comments