Nga idetë te biznesi, qeveria shpall objektivat për startup-et deri në vitin 2028

Qeveria synon të rrisë mbështetjen për startup-et dhe sipërmarrjet inovative në Shqipëri, me objektivin për të kaluar nga 90 startup-e të mbështetura gjatë vitit 2026, në 100 të tjera në vitin 2027 dhe 110 në vitin 2028. Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale nga MIA, mbështetja synon të ndihmojë sipërmarrësit që të kalojnë nga ideja te zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve konkrete, përmes testimit në praktikë, sigurimit të mbështetjes dhe krijimit të mundësive për rritje.
Për vitin 2027, janë përcaktuar edhe disa objektiva të tjera që lidhen me zhvillimin e ekosistemit të inovacionit. Sipas njoftimit, 30% e projekteve të inovacionit do të kenë mundësi pilotimi, ndërsa synohet që të ketë 25 aplikime në programe të Bashkimit Europian dhe programe të tjera ndërkombëtare.
Një tjetër objektiv është që 15% e startup-eve të reja të jenë të drejtuara ose të themeluara nga gratë. Po në të njëjtën përqindje, 15% e bizneseve të financuara synohet të jenë në sektorët e gjelbër dhe digjital. Këto objektiva synojnë të krijojnë më shumë mundësi për sipërmarrjet e reja dhe të nxisin zhvillimin e ideve inovative në biznese të qëndrueshme.






Comments