Lehtësi për bizneset e prekura nga protestat, pezullohen taksat vendore

Bashkia e Tiranës ka vendosur të lehtësojë barrën financiare për bizneset që janë dëmtuar ose janë detyruar të ndërpresin aktivitetin për shkak të protestave të ditëve të fundit. Për këto subjekte parashikohet pezullimi i taksave vendore, ndërsa bizneset duhet të formalizojnë ndërprerjen e aktivitetit dhe ta deklarojnë atë pranë strukturave përkatëse vendore.
Bashkia u bën thirrje subjekteve të ndjekin procedurat e publikuara për mënyrën e përllogaritjes së detyrimeve vendore gjatë periudhës kur aktiviteti ka qenë i ndërprerë. Protestat kanë shkaktuar pasoja ekonomike për bizneset, nga dëmtimet e ambienteve dhe humbjet materiale, deri te mbylljet e përkohshme dhe mungesa e të ardhurave nga shitjet.
Paralelisht, edhe qeveria ka ndërmarrë masa për evidentimin e dëmeve. Përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, në portalin e-Albania, bizneset mund të deklarojnë dëmtimet në ambientet tregtare dhe të dorëzojnë dokumentacionin që vërteton humbjet e pësuara. Ndërkohë, Administrata Tatimore ka angazhuar 10 ekipe të posaçme në terren për të identifikuar bizneset e prekura dhe për të verifikuar dëmet.
Sipas të dhënave paraprake, deri më tani janë evidentuar 127 subjekte të prekura, me dëme që arrijnë në 2.15 milionë euro. Nga këto subjekte, 55 janë identifikuar gjatë kontrolleve në terren, ndërsa 72 kanë raportuar dëmet përmes shërbimit “Dëmi im” në e-Albania.
Verifikimet vijojnë, ndaj bilanci financiar mbetet paraprak. Të dhënat e mbledhura do të shërbejnë për përllogaritjen e faturës përfundimtare të dëmeve të shkaktuara nga protestat.






Comments