Konsumatorët "shpërthejnë" në ankesa ndaj tregtarëve, sekuestrohen qindra produkte

Ankesat e konsumatorëve janë rritur ndjeshëm gjatë muajit shtator, ndërsa autoritetet kanë shtuar kontrollet në treg për të evidentuar shkeljet dhe produktet që nuk plotësojnë kërkesat e sigurisë. Sipas të dhënave të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, gjatë shtatorit janë kryer 656 kontrolle në disa fusha të mbikëqyrjes së tregut, përfshirë tregtimin e naftës dhe derivateve të saj, sigurinë e përgjithshme të produkteve, kushtet teknike, mbikëqyrjen metrologjike dhe respektimin e rregullave në tregti.
Nga kontrollet janë evidentuar shkelje që kanë çuar në vendosjen e 15 gjobave, ndërsa në 7 raste janë nisur procedime pranë gjykatave kompetente për kundërvajtje administrative. Në të njëjtën periudhë janë sekuestruar 231 produkte të ndryshme, mes tyre lodra për fëmijë, helmeta pune, kabllo zgjatuese, adaptorë, karikues, pajisje elektrike dhe cigare elektronike.
Në fokus të mbikëqyrjes kanë qenë edhe produktet e tregtuara përmes kanaleve online. Paralelisht me kontrollet, të dhënat e strukturave të mbrojtjes së konsumatorit tregojnë një rritje të ndjeshme të ankesave të qytetarëve. Vetëm gjatë shtatorit, Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit ka administruar 294 ankesa, 144 më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesa më e madhe e ankesave lidhet me blerjet online, mospërputhjet e çmimeve dhe problemet që kanë të bëjnë me garancinë e produkteve.






Comments