Do të shkoni në bankë sot? Kujdes, dhjetëra degë janë mbyllur ose kanë shkurtuar orarin

Tetë banka të nivelit të dytë kanë ndryshuar përkohësisht mënyrën e funksionimit të disa degëve në Tiranë dhe Durrës, duke mbyllur disa pika shërbimi ose duke reduktuar oraret e punës. Masat, të njoftuara për këtë të hënë, më 19 tetor, lidhen me situatën e krijuar ditët e fundit dhe synojnë të garantojnë sigurinë e klientëve dhe punonjësve. Sipas njoftimeve të publikuara nga bankat, 33 degë do të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa 27 të tjera do të punojnë me orar të reduktuar. Megjithatë, shërbimet bankare nuk janë ndërprerë në tërësi dhe klientët mund të përdorin degët e tjera, platformat digjitale dhe bankomatët, sipas mundësive të secilës bankë.
Banka Kombëtare Tregtare ka njoftuar mbylljen e 12 degëve në Tiranë, ndërsa Raiffeisen Bank ka pezulluar përkohësisht shërbimin në pesë degë. Intesa Sanpaolo Bank Albania ka mbyllur tetë degë, ndërsa pesë të tjera në Tiranë dhe Durrës do të shërbejnë deri në orën 13:00.
Ndryshime ka njoftuar edhe OTP Bank, e cila ka mbyllur dy degë dhe ka reduktuar orarin në tetë të tjera, ku shërbimi do të ofrohet deri në orën 12:00. Në degët e tjera, puna do të vijojë deri në orën 15:30.
Ndërkohë, ABI Bank ka njoftuar se tetë degë në Tiranë do të punojnë deri në mesditë. Credins Bank ka reduktuar orarin në gjashtë degë, deri në orën 13:00, ndërsa një tjetër do të qëndrojë e mbyllur.
Union Bank ka mbyllur tri degë në kryeqytet, në Shallvare, Piazza dhe Toptani. Banka ka bërë të ditur se klientët mund të tërheqin para pa komision në rrjetin e ATM-ve në Shqipëri, përfshirë edhe bankomatët e bankave të tjera.
Edhe Fibank ka njoftuar mbylljen e degëve pranë Kullave Binjake dhe Fakultetit të Shkencave, ndërsa pjesa tjetër e rrjetit do të vijojë punën normalisht. Në të kundërt, ProCredit Bank ka konfirmuar se të gjitha degët dhe agjencitë e saj në Tiranë dhe në qytetet e tjera funksionojnë sipas orarit të zakonshëm. Bankat u rekomandojnë qytetarëve dhe bizneseve që të verifikojnë paraprakisht oraret përmes kanaleve zyrtare, përpara se të paraqiten në sportele. Për veprimet që e mundësojnë, alternativë mbeten aplikacionet bankare, internet banking dhe shërbimet e vetëshërbimit. Mbyllja ose kufizimi i përkohshëm i orarit të disa degëve lidhet me organizimin e shërbimit fizik dhe masat e sigurisë. Sipas njoftimeve të publikuara, këto ndryshime nuk nënkuptojnë ndërprerjen e aktivitetit bankar në tërësi.






Comments