top of page

Afro 2 mijë biznese të reja në shtator, ku po investojnë shqiptarët

Oct 22
1 min read

Gjatë shtatorit 2026, në Shqipëri u regjistruan 1,985 biznese të reja, me kryeqytetin që dominon hartën e sipërmarrjes dhe tregtinë e turizmin që mbeten sektorët më të preferuar. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se më shumë se gjysma e subjekteve të reja u regjistruan në Tiranë, ndërsa rreth 13.5% e tyre kanë pronësi tërësisht ose pjesërisht të huaj. Nga bizneset e regjistruara gjatë muajit, 1,514 janë persona fizikë dhe 463 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.


Pjesa tjetër përbëhet nga katër degë të shoqërive të huaja, tri shoqëri aksionare dhe një shoqëri e thjeshtë. Tirana kryeson me 1,085 biznese të reja, ose rreth 54.7% të totalit kombëtar. Pas saj renditet Durrësi me 212 regjistrime, i ndjekur nga Vlora me 132, Shkodra me 104, Elbasani me 102 dhe Fieri me 100. Vetëm Tirana dhe Durrësi përqendrojnë rreth 65% të bizneseve të reja të muajit, duke dëshmuar përqendrimin e sipërmarrjes në zonat me aktivitet të lartë ekonomik.


Sa u përket sektorëve, tregtia me shumicë dhe pakicë, përfshirë riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, mban vendin e parë me 464 regjistrime. Në vend të dytë vjen akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 220 biznese të reja, duke konfirmuar interesin për aktivitetet e lidhura me turizmin dhe gastronominë.


Interes për sipërmarrësit paraqesin edhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, me 186 regjistrime, si dhe sektori i informacionit dhe komunikacionit, me 166. Ndërtimi numëron 155 subjekte të reja, ndërsa aktivitetet e tjera të shërbimit dhe shërbimet administrative e mbështetëse regjistrojnë nga 147 secili. Në transport dhe magazinim janë regjistruar 135 biznese, ndërsa industria përpunuese ka shënuar 110 regjistrime.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page